
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK. Nga atje ata kanë ngritur kritika sa i përket mungesës së barnave, derisa kanë ofruar mbështetjen e tyre për pacientët me kancer.
Raporti: Arbenita Ilazi
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK, nga ku kanë premtuar më shumë mbështetje për pacientët.
Gjatë vizitës e cila u zhvillua në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, anëtarët e këtij komisioni u njoftuan në lidhje me kërkesat urgjente të klinikës, derisa nuk munguan as kritikat.
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ngriti kritika sa i përket mungesës së barnave për pacientët me kancer.
Se ka pasur mungesë të barnave, e pohoi edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi.
Mirëpo, ai tha se tani qëndrojnë më mirë sa i përket furnizimit me barna për pacientët me kancer të gjirit.
E ushtruesja e detyrës së udhëheqësit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi tha se janë në rrugë të mbarë për të ngritur nivelin e shërbimeve shëndetësore në ShSKUK.
Pacientët me kancer që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë, disa herë gjatë këtij viti nuk kanë mundur të marrin shërbimet e nevojshme për shkak të mungesës së barnave./Gazeta10