
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, është diskutuar propozimi i nënkryetarit të komisionit nga PDK, Artan Behrami, për dërgimin e një ftese zyrtare për raportim në këtë komision parlamentar, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Anëtarja e Komisionit nga Lista Serbe, Ljiljana Stevanoviç, tha se nuk i përkrahin propozimet lidhur me këtë çështje.
“Para së gjithash, siç po thonë aty, shqyrtimi dhe vendimi i propozimit të deputetit, sepse unë nuk e kam marrë këtë, nuk më ka ardhur i përkthyer materiali dhe tani ju dëgjova këtu. Por, para se të them se jam nga Lista Serbe, dua t’ju them se nuk e di nëse kjo pikë duhet të tërhiqet apo të votohet, por unë si Listë Serbe nuk do ta votojmë këtë propozim për shkak të arsyeve të ditura. Nuk e di nëse do të hidhet në votim apo jo, por po ju njoftoj se nuk do ta mbështes këtë pikë dhe ju lus vetëm që të ktheheni në këtë çështje, sepse u zgjeruat shumë në pikën e mëparshme”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi i reagoi duke thënë se ajo mund ta lëshojë mbledhjen.
“Zonjës deputete nga Lista Serbe sigurisht që i pengon çdo debat që bëhet rreth UÇK-së dhe Gjykatës Speciale, por më vjen keq, zonjë, ne mund të diskutojmë këtu edhe me ditë të tëra, sepse duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë, pasi kjo na intereson neve. Edhe pse juve nuk ju intereson, mund të largoheni nëse nuk ju konvenon ky diskutim. Ne si shqiptarë na intereson kjo temë, na intereson UÇK-ja dhe duhet ta diskutojmë dhe ta vlerësojmë lart. Nëse ju pengon, urdhëroni, dilni. Askush nuk jua ndalon.
Dhe për ta përmbledhur, megjithëse nuk jam anëtare e komisionit tuaj, mund të sugjeroj që, siç e thashë edhe më herët, për momentin nuk është koha për t’i bërë ftesë kryetares së Gjykatës, Teandafilova. Si komision mund të përgatisni një kërkesë për takim me komisionet e Këshillit të Evropës, ose një draft mbi shkeljet e të drejtave të njeriut. Avokatët janë të gatshëm, pasi ato shkelje tashmë janë publike në faqen e Gjykatës Speciale. Të gjitha ankesat e palëve mbrojtëse mund të përmblidhen në një dokument dhe t’i dërgohen një komisioni apo deputetëve të Këshillit të Evropës”, u shpreh Selimi.
Selimi gjithashtu tha se ka pasur akuza ndaj Ministrisë së Drejtësisë.
“Pajtohem që jemi bashkë në këtë temë, por politikisht kjo gjykatë është keqpërdorur. Jo vetëm nga veprimet e Vetëvendosjes, por në përgjithësi edhe në raport me Ministrinë e Drejtësisë. Sa akuza janë ngritur se po ndalen fondet, po ndalet buxheti, e të tjera. E di që zoti Behrami është në dijeni për këto pagesa dhe se nuk ka pasur ndalesa. Megjithatë, kjo çështje është përdorur politikisht për të sulmuar Vetëvendosjen.
Fondet nuk janë ndalur asnjëherë. Shumat maksimale mujore janë respektuar sipas udhëzimeve administrative. Ekipet e mbrojtjes kanë pasur edhe fonde shtesë private për shpenzime, ndërsa nga shteti nuk ka pasur ndalje të buxhetit”, u shpreh Selimi.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se përkrahin çdo përpjekje e cila ka të bëj me çlirimtarët.
“Patjetër që jam në mbështetje. Uroj të ketë liri për çlirimtarët tanë dhe që ky proces të përfundojë sa më mirë. Uroj më të mirën për familjet që po përballen me këtë proces, sepse është mjaft i vështirë”, tha Bytyqi.
Ndërsa propozimi mbeti të shqyrtohet sërish, pasi zgjedhja e presidentit mbetet pezull dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje.