
Një rast tragjik ndodhi natën e mbrëmshme, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku u vra gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare. Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.
Ndërkohë janë mësuar edhe detaje të tjera për dy të dyshuarit, të cilët arritën të ikin nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që lokacioni ku ndodhi krimi tashmë është rrethuar me shirita.Në bazë të detaje të reja që janë zbuluar, Sinjali merr vesh se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me veturë familjes Murseli.
Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit BMW. Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.
Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.