
Komuna e Istogut dhe ajo e Klinës qëndrojnë mjaft mirë për sa i përket shërbimeve ndaj qytetarëve të tyre. Të gjitha këto shërbime në këto dy komuna janë të digjitalizuara dhe qytetarët janë të kënaqur me to. Problem mbetet mosfunksionimi i E-kioskave.
Raporti: Luljeta Beselica, Kamera: Aid Berkolli.
Qytetarët e Istogut janë të kënaqur me shërbimet që ofron kjo komunë për ta.
Ata thonë se të gjitha shërbimet janë të digjitalizuara, andaj nuk presin në radhë, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Thonë se për më pak se 10 minuta pajisen me dokumente çfarëdo që ata kanë nevojë.
Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Arben Kabashi ka thënë se janë të përkushtuar që t’u ofrojnë shërbime sa më cilësore qytetarëve të kësaj komune.
Kabashi ka shtuar se i kanë dy zyre civile në këtë komunë, ajo në Istog dhe në fshatin Gurrakoc.
Gjendje e njëjtë është edhe në Komunën e Klinës.
Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, ka thënë se qëllimi kryesor gjithmonë ka qenë që të jenë sa më afër qytetarëve dhe shërbimet ndaj tyre të jenë sa më cilësore.
Ndërkohë, sikur edhe në komunat e tjera, edhe në Klinë e Istog, zyrtarët e tyre kanë shtuar se ditëve të fundit kanë pasur telashe me kompaninë që mirëmban e-kioskun, e cila ka mbetur jashtë funksionit./Gazeta10