
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një dokument përmbledhës me ato që i cilëson si arritjet kryesore të Qeverisë Kurti 2.
Në fjalën hyrëse të dokumentit, Kurti ka rikujtuar sfidat me të cilat është përballur qeverisja e tij, duke përmendur pandeminë COVID-19, krizën energjetike dhe rritjen e kostos së jetesës si pasojë e luftës në Ukrainë.
Pavarësisht këtyre sfidave, ai ka vlerësuar se qeveria e tij ka arritur të qeverisë në mënyrë transparente, të drejtë dhe llogaridhënëse.
Kurti ka përmendur rritjen e pagave, shtesat për fëmijët, punësimin dhe shtrirjen e sovranitetit si rezultate të qeverisjes së tij.
“Ndonëse rrugëtimi ynë u vështirësua nga bllokimi paszgjedhor në Kuvend, edhe si qeveri në detyrë ne nuk devijuam asnjëherë nga misioni. Besojmë fuqishëm se rritja ekonomike nuk është thjesht një statistikë në letër. Ajo ka vlerë vetëm kur ndihet në jetën tuaj: te paga që rritet, te shtesat për çdo fëmijë, te punësimi pa ndërmjetës dhe te sovraniteti në çdo cep të territorit tonë”, ka shkruar Kurti.
Ndërkohë, inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 7,1% gjatë tetorit 2026, ndërsa transporti ka shënuar rritjen më të madhe të çmimeve.
Sipas të dhënave të publikuara me 10 nëntor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit në tetor janë rritur për 7,1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kurti ka paralajmëruar gjithashtu se javën e ardhshme do të jetë gati drafti i programit të ri qeverisës, në të cilin janë përfshirë zotimet elektorale.
Raportin e plotë mund ta lexoni më poshtë: