
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit, Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, derisa u dhurua edhe një donacion me paruke e gjoksore. Ky donacion u mirëprit nga drejtoresha e SHSKUK-së dhe drejtori i Onkologjisë, të cilët thanë se janë në luftë me këtë sëmundje gjatë gjithë vitit, jo vetëm në këtë muaj. Gjatë kësaj vizite presidentja kërkoi që institucionet t’i japin më shumë prioritet shëndetësisë, duke e rritur buxhetin për këtë sektorë, raporton Gazeta10.
Raporti:Fjolla Xheladini
Kamera:Deurit Shaljani
Yrmete Alija është një nga gratë e prekura me kancer të gjirit. Ajo ka rrëfyer se si 8 muaj më parë, kishte vërejtur shenjat e para të shfaqjes së kësaj sëmundjeje.
Megjithatë, Yrmetja të mërkurën iu drejtua Klinikës së Onkologjisë për të përfituar nga donacioni i Presidencës së Kosovës, derisa bëri edhe thirrje tek të gjitha gratë për kontrolle të rregullta.
Me rastin e ndarjes së këtij donacioni, Klinikën e Onkologjisë e vizitoi e presidentja, Vjosa Osmani.
Ajo bëri thirrje që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë, duke thënë që shteti nuk mund të jetë i suksesshëm në asnjë fushë, pa pasur popullsi të shëndoshë.
E ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu – Raçi, ka thënë që janë në luftë të përditshme me këtë sëmundje e jo vetëm në muajin tetor.
Drejtori i Onkologjisë, Arben Bislimi u shpreh se do të vazhdojnë të punojnë në përmbushjen e nevojave të pacientëve.
Me donacionin e Presidencës u ndanë 100 gjoksore, 100 proteza dhe 100 paruke. Në vazhdimësi, Klinika e Onkologjisë përballet me mungesë të barnave, duke u detyruar pacientët që të sigurojnë në mënyrë vetanake një pjesë të tyre./Gazeta10.