
Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku në një intervistë të dhënë për “European Boxing Confederation” është rrëfyer për fillimet e saj në boks, arritjet e saja në këtë sport deri më tani dhe synimet që ka për të ardhmen.
Sadiku është njëra nga boksierët më të suksesshme në Kosovë, ku ka fituar medalje në kampionatet europiane dhe botërore.
24-vjeçarja fillimisht foli për fillimet e saj në këtë sport, ku theksoi se nuk ka qenë aspak e lehtë të merrej me boks në shtetin tonë.
“Kam filluar të merrem me boks që nga mosha 12-vjeçare. Fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta, pasi mentaliteti në shoqërinë tonë është shumë paragjykues. Por, përkundër këtyre vështirësive asnjëherë nuk jam ndalur dhe gjithmonë kam punuar shumë për të arritur nivelet më të mëdha ndërkombëtare”, tha fillimisht Sadiku.
Boksierja nga Prishtina foli edhe për arritjet e saj në karrierë, duke piketuar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike si njërën nga më të rëndësishmet.
“Deri më tani në karrierë kam fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror, e po ashtu edhe në atë Europian. Por, si arritjen më të madhe në karrierë e cilësoi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Tokio. Jam e para boksiere që kam përfaqësuar Kosovën në këto Lojëra”, shtoi boksierja nga Prishtina.
Pikërisht me Lojërat Olimpike lidhen edhe synimet e Donjetës në të ardhmen e afërt.
“Si synim i imi kryesor për të ardhmen është të arrijë normën olimpike për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike që do të mbahen vitin e ardhshëm në Paris. Në këto Lojëra nuk synoj vetëm pjesëmarrjen por edhe t’i sjellë Kosovës medalje olimpike, që do të ishte padyshim një ëndërr e bërë realitet”, tha Sadiku.
Donjeta Sadiku stërvitet me trajner e njohur, Marjola Sallauka. Sadikut vitin e kaluar i’u kishte mohur pjesëmarrja në Botërorin e boksit në Indi për shkak se shteti indian nuk e njoh pavarësinë e Kosovës.