
Boksierja e mirënjohur kosovare, Donjeta Sadiku ka arritur të sigurojë plasmanin në gjysëmfinale të turneut “Çesme” që po mbahet në Turqi.
Sadiku në çerekfinale triumfoi kundër boksieres nga Japonia, Ayava Taguchi me rezultat 5-0.
Boksierja 23-vjeçare e dominoi këtë ndeshje në të tri raundet dhe arriti një fitore më se të merituar.
Me fitoren ndaj boksieres japoneze, Donjeta Sadiku tashmë ka siguruar medaljen e bronztë në këtë turne.
Në gjysmëfinale, Sadiku do të përballet me boksieren turke, Gizem Ozer, në përballjen që do të luhet nesër më 27 prill.
23-vjeçarja deri më tani në karrierën e saj ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin Europian dhe atë Botëror.
Gjatë këtij viti, boksieres Sadiku iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Indi, pasi ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk e lejoi atë të merrte pjesë më simbolet shtetërore të vendit tonë.