
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Kryetarët e katër komunave veriore, kanë nënshkruar zyrtarisht dorëheqjet nga postet e tyre, derisa janë parë edhe policët serbë teksa kanë dorëzuar fletë-dorëheqjet në stacionet policore. Njohës të çështjeve juridike thonë se Kosova duhet të fillojë organizimin e zgjedhje në ato komuna, ngase ashtu parashihet me ligj, shkruan Kanal10.
Po duartrokasin, pasi nënshkruan dorëheqjet nga postet që kishin në institucionet e Republikës së Kosovës.
Të dielën, pak orë para se të fillonte tubimi i thirrur nga Lista Serbe, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës hoqën dorë nga postet që mbanin.
Njëjtë vepruan edhe këshilltarët komunalë të kësaj partie në katër këto komuna.
“Disa herë në këto seanca kemi diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në veri, kemi bërë apel, kemi lutur autoritetet qendrore në Prishtinë të mos bëjnë presion mbi serbët dhe të mos na vendosin në një situatë të sikletshme. Por, situata po rëndohet dita e ditës. Unë si kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga kjo pozitë. Unë po kthehem te qytetarët dhe lufta jonë nuk përfundon me kaq. Nuk do të heqim dorë nga lufta për liri, për bashkëjetesë”
Dorëheqje kanë dhënë kryetarët e e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit, e Zubin Potokut.
Largimet nga institucionet e Kosovës, zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skënder Sadiku, i ka quajtur të ndikuara nga Beogradi.
Njohës të drejtësisë, vlerësojnë se pas dorëheqjes së kryetarëve, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku duhet të shkojnë në zgjedhje.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se veprimet e krerëve të komunave më nuk mund të revokohen.
“Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dorëheqjet e kryetarëve të komunave tanimë kanë efekt politik dhe juridik dhe të njëjtat nuk mund të revokohen. Andaj, sipas ligjit tanimë ka filluar afati ligjor kur institucionet e Kosovës duhet të fillojnë që në bashkëpunim me KQZ të fillojnë më organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore”, tha Ehat Miftaraj – Drejtor në IKD.
Gjatë ditës, u panë edhe rreth dhjetëra policë serb të organizuar duke dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri.
“Të gjithë kanë dorëzuar dorëheqjet dhe se nga sot nuk ka më serb në Policinë e Kosovës në veri”.
Lista Serbe të shtunën ka vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, pas suspendimit të drejtorit të policisë në veri dhe si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat ilegale./Gazeta10