
Sinikata e Bashkuar e Kosovës (SBASHK) ka marrë vendim që greva në arsim në nivel vendi për një muaj të pezullohet deri në janar të vitit 2023. Qeveria e Kosovës pasi mirëpriti këtë vendim, njoftoi dje se pagat për grevistët nuk do të ekzekutohen.
Moskompenzimi i pagave ka qenë një temë e madhe edhe gjatë grevës, meqë fillimisht Qeveria e Kosovës, specifikisht Ministria e Financave, kishte marrë vendim që grevistëve të ju ndaleshin pagat, megjithatë nga ky vendim është tërhequr pas reagimeve të mëdha kundërshtuese nga shoqëria civile dhe subjektet opozitare.
Kjo temë u rikthy sërish gjatë ditës së hënë.
Kkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se është i lumtur për fillimin e mësimit por njëkohësisht edhe i shqetësuar për atë se si kanë shkuar gjërat deri këtu.
Më tej, Krasniqi ka thënë se përkundër trajtimit që është duke ua bërë qeveria mësimdhënsve, ata janë të respektuar dhe se kërkesat e tyre do të plotësohen.

“Jam shumë i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës. Mirëpo, jam edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet. Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar. E megjithatë, duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë. Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është treguar i ashpër në reagimin e tij ndaj kësaj teme. Abdixhiku ka thënë se Kurti përmes arrogancës po ndjell frikë.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se këto paga do të ekzekutohen herët apo vonë dhe se për këtë do ta detyrojë këtë pushtet, të cilin ai e ka quajtur mashtrues.

“Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël. Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza. Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave. Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë të mbrëmshme në “Politiko me Kushtrim Sadikun” në Kanal10, e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës, me Sllobodan Millosheviqin, duke thënë se edhe ai ka përjashtuar njerëzit nga puna.

“Edhe Millosheviqi, kur i ka qitë prej punë në 90’të shqiptarët, nuk jemi shumë larg situatës, jemi duke shkuar kah logjika e njëjtë. Ndoshta nuk i ka qitë 90 mijë prej punës, por 20 mijë njerëzve ua ka ndalë rrogën, edhe Millosheviqi u thirrë në do ligje”, ka thënë ai.
Të mërkurën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kompenzimi do të bëhet vetëm për ata që kanë punuar.
“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka shkruar Nagavci ndër të tjera në Facebook.
Tutje, ministrja Nagavci ka akuzuar komunat për kryerjen e përgjegjësive në raport me deklarimet e listave në Thesar.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci ndër të tjera. / Gazeta10