Sport

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës flet për ardhjen e Saipit te Kosova, e krahason me rastin e Berat Gjimshitit

Gazeta10
01 Tetor 2024 - 14:22

Amir Saipi pritet të jetë prurja e re e Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e muajit tetor në Ligën e Kombeve.

Dardanët do të përballen me Lituaninë më 12 tetor në udhëtim e pastaj presin Qipron tre ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’.

Saipi që aktivizohet si portier i parë me Luganon ka qenë pjesë e grupmoshave të Zvicrës, por tani e tutje do të luaj për Dardanët.

24-vjeçari është duke u pajisur me pasaportën kosovare, derisa pritet ta shtoj konkurrencën në portën e Kosovës.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami ka thënë se Saipi u largua pasi para tij janë katër portierë në hierarkinë e helvetikëve.

“Për momentin hierarkia sa i takon portës është e qartë. Para tij janë Kobel, Mvogo, Omlin dhe Koehn, të gjithë aktivë në ligat e mëdha evropiane”, ka thënë Tami për televizionin shtetërorë zviceran.

Sipas Tamit, konkurrenca ka luajtur rol në vendimin e Saipit.

“Është e vërtetë që ai nuk do ta kishte marrë menjëherë këtë mundësi me ne. Por dera jonë do të mbetej gjithnjë e hapur.Do të varej edhe nga përparimi në edicionet e ardhshme dhe dëshira e tij për të qenë pjesë e grupit. Ne kemi përsëritur interesimin tonë për të pak para Kampionatit Evropian”, ka theksuar Tami.

Ish-trajneri i disa skuadrave zvicerane Tami që ndodhet në rolin e drejtorit e ka krahasuar rastin e Saipit me atë të kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshitit.

“Unë isha trajner i Gjimshitit te Zvicra U21 dhe në atë kohë askush, me gjasë as vet ai, nuk ka menduar se mund të arrijë nivelin që e ka arritur sot me Atalantan. Nëse do të mendonte se do të bëhej njëri prej mbrojtësve më të mirë në Serie A, ndoshta do të zgjedhte Zvicrën para Shqipërisë, pikërisht pasi kjo do t’i jepte mundësinë të paraqitej në ngjarje të mëdha”, ka thënë Tami.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.