Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Drejtori thotë se spitali “Al-Shifa” nuk ka më ujë dhe oksigjen: Pacientët po bërtasin nga etja

Gazeta10
17 November 2023 - 8:29

Drejtori i spitalit kryesor në Rripin e Gazës, që është bastisur nga ushtria izraelite, thotë se këtij objekti i janë harxhuar oksigjeni dhe uji dhe se pacientët “po bërtasin nga etja”.

Muhammad Abu Salmiya tha se kushtet në spitalin “Al-Shifa” janë tragjike. Aty ndodhen mbi 650 pacientë, 500 punëtorë shëndetësorë e 5 mijë persona të zhvendosur, raporton televizioni BBC.

Sipas drejtorit, tanket izraelite e kanë rrethuar spitalin, dronët po qëndrojnë në ajër, ndërsa ushtarët izraelitë ende po qarkullojnë brenda objektit, përderisa operacioni i tyre i kërkimit zgjati edhe në ditën e dytë.

Ushtria izraelite tha se operacioni i saj kundër Hamasit ishte duke vazhduar “në mënyrë diskrete, metodike e të plotë”. Megjithatë, një gazetarë i ngujuar brenda spitalit, Khader, i tha BBC-së përmes telefonit se trupat izraelite ishin “kudo, duke shtënë në të gjitha drejtimet”.

Televizioni BBC nuk ka arritur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur asnjërin nga këto raportime.

Që nga fillimi i bastisjes së spitalit nga forcat izraelite të mërkurën herët, ato kanë publikuar disa fotografi e video të atyre që ato thonë se ishin armë e pajisje të Hamasit.

Më herët të enjten, gazetari Khader i tha BBC-së se trupat izraelite “i kishin mësyrë të gjitha repartet”, duke shkatërruar dhjetëra vetura dhe pjesën jugore të murit të ndërtesës.

Para se lidhja telefonike me këtë gazetar të ndërpritej, ai gjithashtu tha se brenda kompleksit ishin sjellë buldozerë të blinduar.

Të enjten në mbrëmje, ushtria izraelite njoftoi se trupi i njërit prej pengjeve ishte gjetur afër spitalit “Al-Shifa”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit e identifikuan viktimën si Yehudit Weiss, duke thënë se ajo ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në Be’eri – komunitet në jug të Izraelit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
13 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.