
Drita ka shënuar edhe një fitore tjetër në pranverë.
Skuadra e Zekirija Ramadanit ka arritur fitoren e dytë radhazi, kësaj here si mysafir i Feronikelit ’74.
Bardhekaltërit nga Gjilani triumfuan minimalisht në Drenas, me golin e shënuar nga mbrojtësi ganez, Raddy Ovouka.
Mbrojtësi i majtë, që po gëzon formë të mirë këtë edicion, arriti të gjejë golin e fitores në minutën e 79-të të ndeshjes, pas një asistimi brenda zonës nga Besnik Krasniqi.
Kështu, Drita arkëton tre pikë të rëndësishme, duke shfrytëzuar gabimet e dy konkurrentëve për titull.
Skuadra gjilanase tashmë është vetëm dy pikë larg vendit të parë, Ballkanit dhe një pikë larg vendit të dytë që mbahet nga Llapi.
Ndërkohë, Feronikëli i Shefki Kuqit e gjen vetën në pozitën e shtatë në tabelë me 26 pikë, një më shumë se Gjilani që zë vendin e barazhit.
Ndeshjen e ardhshme, Drita do të ketë punë me rivalin lokal, Gjilanin, teksa Feronikeli ’74 do t’i shkojë Dukagjinit në Klinë.