
Një dron rus ka goditur një tren në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë, vetëm pak minuta pasi nëpër të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren me ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, ish-kryeministrin suedez Carl Bildt dhe zyrtarë evropianë të sigurisë.
Sulmi ndodhi të dielën pranë stacionit Yahodyn, në afërsi të pikës kufitare Yahodyn-Dorohusk, raporton Financial Times.
Treni diplomatik, me Johnsonin, Bildtin dhe këshilltarë të sigurisë nga disa vende të Bashkimit Evropian, po kthehej nga Kievi. Ata kishin marrë pjesë në konferencën Yalta European Strategy.
Operatori shtetëror hekurudhor i Ukrainës, Ukrzaliznytsia, bëri të ditur se treni me zyrtarët e huaj ishte nisur nga stacioni më herët se sa ishte planifikuar, për shkak të rrezikut nga sulmet ruse.
Sipas kompanisë, ekziston mundësia që objektiv i dronit të ketë qenë pikërisht treni diplomatik, megjithëse kjo nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Pak minuta pas kalimit të tij, droni goditi lokomotivën e një treni tjetër të udhëtarëve pranë kufirit polak.
Pasagjerët ishin evakuuar para goditjes dhe nuk është raportuar për të vrarë apo të lënduar.
Ish-kryeministri suedez Carl Bildt konfirmoi se treni i goditur nuk ishte ai me të cilin po udhëtonte delegacioni.
“Ky nuk ishte treni ynë, por ai që ishte vetëm disa minuta pas nesh, pranë pikës kufitare me Poloninë”, shkroi Bildt në platformën X.
Sipas tij, treni ishte evakuuar pasi ishte diktuar afrimi i dronit rus dhe askush nuk ishte lënduar.
Në zonë ndodhej edhe ish-drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, CIA, David Petraeus. Ai ishte në një tren tjetër në stacionin Yahodyn në kohën e sulmit.
Financial Times raporton se linja hekurudhore është përdorur rregullisht nga liderët dhe zyrtarët perëndimorë gjatë vizitave në Kiev, pasi hapësira ajrore e Ukrainës vazhdon të jetë e mbyllur për trafikun civil.
Sulmi ndodhi shumë pranë territorit të Polonisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Rusia ka deklaruar se sulmet e saj kishin në shënjestër infrastrukturën hekurudhore që, sipas Moskës, përdoret për transportimin e ngarkesave ushtarake evropiane drejt Ukrainës. Nuk ka prova publike që Boris Johnson apo zyrtarët e tjerë perëndimorë të kenë qenë personalisht objektiv i sulmit.