Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dyshime për tjetërsim të pronave publike në Prishtinë, bllokohen 48 parcela me vlerë miliona euro

Gazeta10
12 November 2026 - 16:27

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, që dyshohet se vlejnë miliona euro, në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe tjetërsim të kundërligjshëm të pronës publike.

Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit M.B., i cili është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari gjatë vitit 2023, në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar.

Ai dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.

Hetimet kanë ngritur dyshime se M.B. ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, me qëllim që personi tjetër, N.J., të përfitonte në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore.

Sipas Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve dyshohet se prona publike ka kaluar kundërligjshëm në emër dhe posedim të N.J., i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Në kuadër të hetimeve, prokurori i shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet se arrin në miliona euro.

Kjo masë është ndërmarrë për të parandaluar tjetërsimin apo humbjen e pasurisë që dyshohet se lidhet me veprimtarinë e kundërligjshme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon angazhimin për luftimin e korrupsionit dhe ndjekjen penale të personave që dyshohen për shkelje të ligjit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.