
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka deklaruar se gjatë ditës së nesërme do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues ku bazuar në rend të ditës, pritet shkarkimi i tij. Kjo mbledhje, siç deklaroi ai, është ftuar në kundërshtim me statutin dhe është e jashtëligjshme. Se partia në pushtet po synon ta shkarkojë rektorin dhe ta kap Universitetin Publik, kanë alarmuar edhe 20 organizata, raporton Gazeta10.
Raporti: Saranda Aliu
Kamera: Kanal10
Pretendime të shumta janë shfaqur se partia në pushtet po synon ta rrëzojë Naser Sahitin nga posti i rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
E rruga për ta bërë një gjë të tillë është zgjedhur që të kalohet përmes Këshillit Drejtues të UP-së.
Anëtarët e këtij institucioni kanë planifikuar që të premten përmes një mbledhje ta vlerësojnë perfomancën e menaxhmentit të universitetit.
Ndërkaq, rektori Sahiti përmes një konference për medie, ka folur lidhur me ngjarjet e fundit, duke thënë se mbledhja e së premtes e Këshillit Drejtues të UP-së është e kundërligjshme.
Ai ka thënë se nuk do të marr pjesë në këtë mbledhje që sipas tij, rendi i ditës nënkupton edhe shkarkimin e tij nga posti.
Mirëpo, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, e mbështetur nga 19 organizata të tjera, e kanë kundërshtuar shkarkimin e rektorit Sahiti.
Nga ORCA, thonë se partia në pushtet dëshiron ta kap Universitetin e Prishtinës.
Shkarkimin e rektorit Sahiti e kanë kundërshtuar edhe nga Parlamenti Studentor.
Kanal 10 ka provuar të marr përgjigje nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, si dhe nga Ministria e Arsimit, por asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur në thirrjet dhe pyetjet e televizionit.
Këshilli Drejtues i UP-së është zgjedhur në qershor të këtij viti dhe për përbërjen e këtij organi kishte pasur reagime të shumta, pasi që anëtar të tij ishin zgjedhur persona që dyshohen për plagjiaturë dhe të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje./Gazeta10.