
Ekrem Rexhepi – njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, është sulmuar fizikisht nga të burgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar vet avokati i të dyshuarit, Fitim Limani.
“Po është e vërtetë që është sulmuar nga të burgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Kanë intervenuar gardianët dhe tani është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz”, ka thënë Limani.
Avokati ka bërë të ditur se Rexhepi nuk ka pësuar lëndime nga sulmi i të burgosurve pasi që reagimi i gardianëve ka qenë i menjëhershëm. Gjithashtu, Limani pohoi se klienti i tij nuk ka pranuar trajtim mjekësor pasi që nuk ka pasur lëndime nga sulmi.
Teksa, Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka mohuar se Ekrem Rexhepi, është sulmuar fizikisht. Ata e kanë konfirmuar se 26-vjeçari është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, por kanë thënë se s’ka pasur sulm ndaj tij.
Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi ka thënë se Rexhepi është dërguar atje për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm ndaj tij, shkaku i veprës për të cilën dyshohet.
“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, ka thënë Gashi për Express./Gazeta10