
Ndonëse kanë kaluar 9-të ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë ende nuk dihet rezultati përfundimtar nga mbledhja e votave.
Kjo gjendje politike në vend sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala po konsiderohet si kundërveprim ndaj asaj se çka është pritur me risitë në proceset zgjedhore.
“Numërimi i votave me ligjin e ri për zgjedhje ka filluar këtë vit në qendrat e numërimit dhe ka qenë risi, e për këtë arsye edhe kemi menduar se do të shpejtohet edhe rezultatet preeliminare t’i kemi shumë më shpejtë. Tash dul e kundërta, A ka qenë mospërgaditje e komisionerëve komunal a po jo, pse po shtyhet? Vërtetë nuk kam diçka me justifiku këtë shtyrje sepse është dashtë brenda tri-katër ditëve”, tha ai në Raport të Kanal10.
Tutje, sipas tij edhe përmendja e “Trenit Bullgar” rrezikon procesin zgjedhor e që në raste të tilla dënimet vijojnë nga një deri në tri vite.
“Për pa shku të gjitha votat në Qendrat e Numërimit në Fushë Kosovë nuk mund të kemi një rezultat preliminar. E përveç sanksioneve që i parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, kemi edhe një kapitull të veçantë të Kodit Penal ku e siguron të drejtën e votës. Janë diku 10 vepra penale të thirrura në dënime, prej një deri në pesë vjet. E nëse përmendet treni bullgar është me të vërtetë e rrezikshme, e përcaktuar me dënim prej 1-3 vite“, shtoi ai. /Gazeta10