
Hetuesit gjermanë po shqyrtojnë lidhjet e dy personave të arrestuar në Serbi me të dyshuarit për përpjekjen për një sulm me dron të mbushur me eksploziv në aeroportin Leipzig/Halle, duke ngritur dyshime për një lidhje ruso-serbe në këtë rast.
Danilo B. dhe Slobodan Dj. u arrestuan më 11 qershor pranë Suboticës, në rrugën drejt kufirit me Hungarinë. Gjykata e Lartë në Suboticë ua ka zgjatur paraburgimin deri më 9 dhjetor. Sipas mediave gjermane, ata dyshohet se kanë vepruar si agjentë të angazhuar nga Rusia dhe se kishin planifikuar të vendosnin eksploziv në Gjermani.
Pak më pak se dy muaj pas arrestimit të tyre, më 4 gusht, në aeroportin Leipzig/Halle u gjet një dron me pajisje shpërthyese, pranë disa avionëve ukrainas të ngarkesave. Qeveria gjermane e ka akuzuar Rusinë për përgjegjësi për tentativën e sulmit, ndërsa Moska i ka mohuar akuzat.
Sipas Der Spiegel, hetuesit gjermanë po kontrollojnë nëse dy të arrestuarit në Serbi kanë pasur kontakte me një person që është pjesë e hetimit për incidentin në Lajpcig. Bëhet fjalë për Oleg L., për të cilin mediat gjermane raportojnë se po hetohet edhe për lidhje me inteligjencën ushtarake ruse, GRU, transmeton REL, përcjell KosovaPress.
Lexo po ashtuReshje të mëdha të shiut, bllokohet rruga në magjistralen Ferizaj-GjilanHetuesit janë orientuar drejt të dyshuarve edhe përmes pjesëve të sekuestruara të dronëve, pajisjeve për eksploziv dhe ndezje. Sipas Welt am Sonntag, gjurmët e ADN-së të gjetura në një pjesë të antenës së njërit prej dronëve kanë dhënë indicie të rëndësishme për identifikimin e të dyshuarve. Këto gjurmë thuhet se përputhen me një gjurmë të identifikuar më herët në hetimin për zjarrvënien në një qendër logjistike të DHL-së në Lajpcig, në korrik 2024.
Dyshime për rrjet përmes Serbisë
Rasti nuk kufizohet vetëm te dy të arrestuarit në Suboticë. Në prill, në Kanjiža, në veri të Serbisë, ishte gjetur eksploziv pranë një gazsjellësi që lidh Serbinë me Hungarinë.
Pesë muaj më vonë, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë njoftoi se po hetonte shtatë persona, të dyshuar për blerje dhe magazinim të eksplozivëve, pajisjeve shpërthyese dhe dronëve, me qëllim transportimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, sipas Bild, autoritetet gjermane po hetojnë edhe një kamion nga Serbia, i ndaluar në Bavari më 27 qershor. Sipas dokumenteve të cilave u referohet gazeta, kamioni dyshohej se kishte hapësira të fshehta të ndërtuara posaçërisht për kontrabandimin e armëve. Kur u ndalua, hapësirat ishin bosh dhe hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse ngarkesa ishte shkarkuar më herët dhe ku ndodhet ajo.
Sipas të njëjtit raport, armët mund të kenë qenë të destinuara për një sulm ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes në Bavari, e cila është e rëndësishme për mbështetjen ushtarake të Ukrainës.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen e ka përshkruar Serbinë si një “stacion tranziti” për rusët në kuadër të përpjekjes për sulmin në Lajpcig, duke shprehur shqetësim për lidhjet e Serbisë me Rusinë.
Ndërkohë, autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar publikisht nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes dy të arrestuarve në Serbi dhe planit për sulmin në Lajpcig. Prokuroria Federale dhe policia gjermane nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-së lidhur me këtë aspekt të hetimit, ndërsa shërbimet gjermane të inteligjencës kanë deklaruar se nuk komentojnë publikisht çështjet që lidhen me informacionet apo aktivitetet e mundshme të inteligjencës.