Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dyshohet se një granatë dore është hedhur në Prizren – digjet një veturë, dëmtohet fasada e një shtëpie

Gazeta10
16 June 2026 - 20:49

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmon se “me datën 16.06.2026, rreth orës 03:30, Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën “Brigada 128” në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe”.

Bytyqi tha se “njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve. Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar”.

Sipas tij “nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore. Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderushme. Motivet e rastit ende nuk dihen”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm””, tha Bytyqi.

Ai shtoi se rasti është duke u hetuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.