
Një nga aksidentet më të rënda ndodhi në aksin Fier-Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Si pasojë e përplasjes, katër persona mbetën të lënduar dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.
Pak minuta më vonë, një aksident zinxhir u regjistrua në autostradën Durrës-Tiranë, pranë Sukthit, ku u përfshinë shtatë automjete. Fatmirësisht, nga ky aksident pati vetëm dëme materiale, megjithëse u krijuan radhë të gjata automjetesh, shkruan Top Channel.
Një tjetër aksident ndodhi rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër Lushnjë-Berat. Një automjet doli nga kontrolli, u përplas me barrierat e një ure dhe, pas disa rrotullimeve, përfundoi i përmbysur në rrugë. Drejtuesja e mjetit, 28 vjeçe, u dërgua në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.
Në lagjen Sheq i Madh në Fier, drejtuesi i një motomjeti mbeti i lënduar pas përplasjes me një automjet.
Tragjedia më e rëndë u regjistrua në mbrëmje në zonën e Lagunës, në Ksamil. Sipas Policisë, rreth orës 18:10, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga një 22-vjeçar, humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Për pasojë humbi jetën në vendngjarje pasagjeri 20-vjeçar, Antonio Mateli, ndërsa drejtuesi i automjetit u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pak pas orës 19:30, tre persona mbetën të lënduar në aksin Elbasan-Cërrik, pas përplasjes mes një automjeti dhe një furgoni.
Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes, një tjetër aksident me pasojë fatale ndodhi në aksin Lezhë-Milot, pranë kryqëzimit të Shënkollit, ku një automjet dyshohet se ka përplasur për vdekje një këmbësor. Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.