Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

E rëndë: Këta janë viktimat e aksidentit në Pejë dhe Podujevë (FOTO)

Gazeta10
17 September 2023 - 11:20

Dita e shtunë ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Pesë persona vdiqën, në tri aksidente trafiku, në Podujevë, Pejë, si dhe në Graçanicë.

 Në aksidentin me fatalitet që ndodhi në fshatin Ozdrim të Pejës, mbetën të vdekur dy këmbësorë, ndërkaq një person tjetër është lënduar rëndë.

Dy viktimat që u goditën për vdekje janë nga Fadil Shala dhe Avdi Shala, të cilët nuk arritën t’i përballojnë plagët e rënda dhe vdiqën në vendin e ngjarjes, teksa personi i lënduar tashmë po trajtohet në QKUK.

Për këtë rast mjaft të rëndë ka shkruar edhe gazetari Florent Zeqaj, i cili i kishte bashkëfshatarë dy anëtarët e familjes Shala, që humbën jetën tragjikisht.

Zeqaj ka njoftuar se edhe personi që mbeti i lënduar është nga e njëjta familje dhe është duke luftuar për jetën.

“Në fshatin tim të lindjes, mbrëmë ndodhi një tragjedi nga e cila i humbëm dy burra, familjarë të mirë, ndërsa i treti po lufton për jetën në spitalin e Prishtinës. Ky është lajm i rëndë e dhimbje e madhe. Viktimat dhe i lënduari janë goditur nga një makinë po nga i njëjti fshat, kjo e bënë dhimbjen edhe më të madhe  sepse askush nuk dëshiron të provohet me tragjedi të tilla.“, ka shkruar ai.

Rastin e ka konfirmuar mbrëmë për Gazeta10 edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili tha se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është shoqëruar në stacion policor.

Ndërsa në vetaksidentin e rëndë që ndodhi në fshatin Sfeqël të Podujevës, mbetën të vdekur dy persona, teksa u lëndua rëndë një tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Shoferi i veturës dhe njëri prej pasagjerëve, Ultrim Mehmeti dhe Qëndrim Boshnjaku, nuk arritën t’i përballojnë plagët dhe ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa pasagjeri tjetër u dërgua me urgjencë në spital.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Gazeta10 se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes.

Fotot e viktimave janë siguruar nga Gazeta Sinjal

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.