
Raporti: Arbenita Ilazi
Rrjeti i marketeve Viva Fresh Store dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve kanë organizuar javën e prodhimeve vendore. Mbi 100 prodhues vendor patën rastin të promovojnë artikujt e tyre. Bizneset u shprehën të kënaqura me organizimin dhe mundësinë për t’i promovuar produktet e tyre. Organizatorët kanë bërë thirrje për më shumë përkrahje nga shteti për produktet vendore
Mbi 100 prodhues vendorë, të premten, kanë pasur mundësinë që t’i promovojnë produktet e tyre në panairin e organizuar nga rrjeti i marketeve Viva Fresh Store dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve.
Me moton “Unë konsumoj produkte vendore. Po ju!”, shumë konsumatorë kanë pasur rastin që t’i provojnë produktet e prodhuara në Kosovë.
Përfaqësues të bizneseve janë shprehur të kënaqur për organizimin e këtij panairi, pasi sipas tyre, kjo është një mundësi e mirë për promovimin e produkteve të tyre.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se panairi është një mundësi e mirë për t’u promovuar produktet vendore, duke kërkuar nga Qeveria që të kthejë vëmendjen më shumë nga prodhuesit vendës.
Ndërkaq, Ermira Shehu, menaxhere e marketingut në Viva Fresh Store ka thënë se kjo qendër është gjithmonë e hapur për bizneset vendore.
Ky është viti i katërt që Viva Fresh Store ka organizuar panairin e prodhimeve vendore. / Kanal10