
Mesfushori i Ballkanit, Edvin Kuç është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 35-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kuç shënoi një gol në fitorn e Ballkanit në ndeshjen ndaj Ferizajit, triumf ky që e shpalli ekipin therandas kampion për herë të dytë radhazi.
Pasi mori këtë çmim, Kuç u shpreh i lumtur që skuadra e tij e përmbushi me sukses misionin e saj për mbrojtjen e titullit të kampionit dhe atë një javë para mbylljes së kampionatit.
“Të shpallesh Ylli i Javës në xhiron kur edhe jemi rishpallur kampion për herë të dytë radhazi është një kënaqësi e veçantë. Si kapiten jam krenar me ekipin dhe me ecurinë që kemi treguar në këtë edicion. Rruga për ta mbrojtur titullin kampion nuk ka qenë e lehtë. Kemi pasur shumë ndeshje, kemi lëshuar shumë pikë rrugës, por në fund karakteri i skuadrës, puna e shtabit teknik dhe organizimi i mirë i klubit kanë bërë që sërish trofeu i kampionit të vijë në Suharekë. Këtë çmim por edhe titullin kampion ia dedikoj kryesisë, tifozëve dhe familjes tim, e cila çdo herë më ka qëndruar afër”, ka theksuar Edvin Kuç.
29-vjeçari këtë edicion në Superligë me Ballkanin ka shënuar pesë gola e ka kontribuar me një asistim në 24 ndeshje të luajtura.