Trajneri i mirënjohur kosovar dhe njëherësh edhe analisti i përhershëm i emisionit Kampionët, Bekim Isufi pritet të marrë drejtimin e kombëtares së Kosovës për grupmoshat U20.
Kanal10 mëson ekskluzivisht se Isufi ka arritur marrëveshje total me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa zyrtarizimi pritet të bëhet në ditët në vazhdim.
Trajneri nga Gjilani ka qenë është më parë pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës, ku ka qenë pjesë e shtabit teknik te kombëtarja U21.
47-vjeçari ka një karrierë të pasur si trajner në futbollin kosovar, ku ka fituar edhe një titull të kampionit në elitën e futbollit tonë.
Në vitin 2018, ai fitoi Superligën me skuadrën e Dritës, që ishte titulli i dytë kampion në atë kohë për “Intelektualët”.
Së fundmi, ai ishte pjesë e Ballkanit në stinorin vjeshtor të edicionit 2021/22, ku skuadra therandase në atë edicion fitoi titullin e parë në histori të klubit.
Federata e Futbollit të Kosovës shumë shpejt pritet të emërojë edhe trajnerët për grupmoshat U16 dhe U18.
Sipas burimeve të Kanal10, kombëtaren U16 do të drejtojë Mehmet Kurda, ndërsa atë U18 Sami Sermaxhaj.