
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka ngritur shqetësime për gjendjen e sigurisë në Kosovë, duke vlerësuar se vendi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e organizatave ndërkombëtare të sigurisë për shkak të rasteve që lidhen me krimin e organizuar, spiunazhin dhe kërcënimet e tjera ndaj rendit publik.
Në një lidhje direkte për Kanal10 në emisionin “Gazeta”, Elezi tha se fakti që struktura të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë po merren me raste që lidhen me Kosovën tregon se situata e sigurisë kërkon vëmendje serioze.
Sipas tij, përfshirja e Europol dhe koordinimi i planeve të përbashkëta operative për raste që lidhen me Kosovën dëshmojnë se vendi po konsiderohet si një zonë me sfida të theksuara në aspektin e sigurisë publike.
“Fakti që kjo strukturë shumë e rëndësishme e sigurisë ka pasur punë në Kosovë dhe ka organizuar plane të përbashkëta operative për çështje të caktuara, tregon se Kosova po përballet me probleme serioze sa i përket sigurisë publike”, tha Elezi.
Ai theksoi se rasti i fundit, por edhe raste të tjera të regjistruara ndër vite, dëshmojnë se Kosova po përballet me rrezikun e destabilizimit të sigurisë.
“Ky rast dhe shumë raste të tjera dëshmojnë se Kosova po rrëshqet drejt një destabilizimi të sigurisë publike dhe po bëhet zonë interesi për strukturat ndërkombëtare të sigurisë, qoftë në luftimin e krimit të organizuar, spiunazhit apo terrorizmit”, deklaroi ai.
Elezi kujtoi edhe raste të mëhershme të arrestimeve për spiunazh, duke theksuar se veprime të tilla kanë paraqitur rrezik serioz për institucionet e sigurisë dhe rendin kushtetues të vendit.
Sipas ekspertit të sigurisë, interesimi i shtuar i organizatave ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë nuk duhet të shihet si një sinjal pozitiv, por si tregues se ekzistojnë probleme që kërkojnë trajtim më efikas nga institucionet përgjegjëse.
“Çdo vend që merr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare të sigurisë dhe mediave ndërkombëtare në aspektin e luftimit të krimit të organizuar, do të thotë se ka probleme serioze dhe performancë jo të mirë sa i përket çështjeve që lidhen me sigurinë dhe zbatimin e drejtësisë”, përfundoi Elezi.
Video e plotë: