Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Escobar pas takimit me Vuçiq: Ka arsye përse janë vendosur barrikadat

Gazeta10
14 December 2022 - 21:48

I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se ka arsye për barrikadat që i kanë vendosur serbët në veri. Megjithatë, ai ka theksuar se ato duhet të hiqen brenda disa ditësh.

Në një intervistë për televizionin serb N1, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Escobar është shprehur optimist për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.

“Nuk dua të hyj në detaje të bisedës, por më duhet të them se ka elemente për optimizëm. Përveç kësaj, dua të them se ne nuk kemi nevojë vetëm për një zgjidhje të kësaj krize aktuale, ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam ta kthejmë këtë krizë në një mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin. Ne dëgjuam shqetësimet e tyre. Ato janë legjitime. Ne duam të punojmë me komunitetin serb në veri të Kosovës, për të përmbushur kërkesat e tyre. Ka një mënyrë për të ecur përpara, ashtu siç ka një arsye pse vendosin barrikadat dhe pse do t’i heqin ato. Po ashtu serbët duhet të kthehen në institucionet e përbashkëta, sepse ata janë të nevojshëm atje. Mendoj se në të ardhmen e afërt, kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Escobar.

Gjatë intervistës, Escobar ka përsëritur edhe një herë se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e ushtrisë serbe në veri të Kosovës”.

“Nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Nuk është koha për të përdorur ushtrinë, është koha për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin. Ne nuk do të lejojmë askënd nga Kosova të kërcënojë Serbinë dhe nuk do të kërcënojmë sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës”, ka deklaruar ai./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.