10 LIVE

Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë

Gazeta10
20 Mars 2023 - 14:40

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai, shkruan REL.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

I pyetur se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se kjo i përket popullit të Kosovës të vendosë, në bisedë me Serbinë.

“Por, ne besojmë se duhet të jetë një që i shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu duhet të jetë një asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj. Brenda kësaj ka shumë modele dhe shumë opsione dhe ne shpresojmë se do të kemi bisedime me të dyja palët që të mund të arrijmë, jo vetëm te një opsion i përbashkët, por te një opsion atraktiv”, tha Escobar.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
20 Janar 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.