
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka komentuar kandidimin e Bedri Hamzës për kryeministër.
I pyetur se si erdhi vendimi që Hamza të kandidojë për kryeministër, përkundër që vetë është prijës i partisë, Krasniqi ka thënë se këtë vendim e ka marrë me besim të plotë qysh para një viti, duke theksuar se qëllimi kryesor ka qenë që t’i ofrojnë Kosovës vizion në krye me Hamzën.
“Ka qenë një diskutim të cilin e kam fillu herët me z.Hamza tash një vit, kur për herë të parë e kemi diskutu dhe ka qenë i bazuar në qëllimin kryesor t’i ofrojmë Kosovës jo vetëm një personalitet apo vetëm një kryeministër, por t’i ofrojmë një vizion të cilit do t’i prijë z.Hamza”, ka thënë Krasniqi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Krasniqi ka lavdëruar karrierën profesionale të Hamzës, duke e përshkruar si një nga figurat më të njohura që ka lënë gjurmë në skenën politike.
“Z.Hamza është një nga figurat e njohura në skenën politike. Gjithë jetën e tij ia ka dedikuar shërbimit publik në këto mbi 20 vite. Ka pasur edhe pozicione të rëndësishme institucionale… Në të gjitha pozicionet që ka qenë ka shërbyer me nder dhe me profesionalizëm”, ka theksuar Hamza. /Gazeta10/