
Kombëtarja Shqiptare në futboll është ende pa trajner, pasi trajnerit Eduardo Reja I përfundoi kontrata në muajin e kaluar.
Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ditë më parë kishte deklaruar se në janar do të emërohet zyrtarisht shefi i ri i shtabit teknik te ‘Kuqezinjët’.
Sipas raportimeve të fundit, Esteban Cambiasso është trajneri favorit për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Cambiaso kohë më parë ka qenë në Tiranë, ndërsa shumë shpejt pritet të arrihet marrëveshja totale ndërmjet dy palëve.
Argjentinasi ka pasur një karrierë të bujshme si futbollist, ku ka qenë pjesë e skuadrave të mëdha europiane si Interi dhe Real Madridi, por nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe në zejen e trajnerit.
Deri më tani në rolin e trajnerit, ai ka qenë vetëm për një vit asistent i kombëtares së Kolumbisë.
Trajneri i ri i kombëtares Shqiptare do të ketë për synim kualifikimin në EURO 2024, që do të ishte hera e dytë që ‘Kuqezinjët’ marrin pjesë në Kampionatin Europian.