Lajme

Fadil Aliu pas vendimit të Prokurorisë: U vërtetua se nuk ka pasur asnjë element të kryerjes së veprës penale

Gazeta10
11 Maj 2024 - 22:39

Shefi i personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për t’i pushuar hetimet ndaj tij dhe dy zyrtarëve të tjerë për shërbime sociale. 

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Prokuroria sot, hetimet janë pushuar me arsyetimin sepse nuk ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale, raporton Gazeta Sinjali. 

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ali tha se institucionet e drejtësisë kanë vërtetuar fjalët e tij të cilat i kishte thënë në shtator të vitit të kaluar, duke vërtetuar pafajësinë dhe pastërtinë e tij të plotë.

Aliu ishte dërguar në mbajtje në shtator të vitit të kaluar në cilësinë e shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, si rezultat i një kallëzimi penal të bërë nga Ministrja e Drejtësisë.

Ai tha se kjo u bë që imazhi i tij dhe i familjes të cenohen në publik. Sipas tij, nga kjo u dëshmua se nuk ka pasur asnjë element të kryerjes së veprës penale me rastin e angazhimit të personave me kontratë për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës dhe se “dejtësia dhe pastërtia triumfuan mbi padrejtësinë e mbi përpjekjet për t’i dhënë udhë tjetër të vërtetës”. 

Njoftimi i plotë i tij: 

Të dashur miq,

Institucionet e drejtësisë, vërtetuan fjalët e mia që i kam thënë në shtator të vitit të kaluar, vërtetuan pafajësinë dhe pastërtinë time të plotë.

Siç jeni në dijeni, në shtator të vitit të kaluar, unë jam dërguar në mbajtje në cilësinë e shefit të personelit të Komunës së Prishtinës.

Natyrshëm, që ky ndalim ishte i befasishëm jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë ata që më njihnin mua dhe familjen time. Por, për asnjërin prej nesh nuk ishin të befasishme tendencat që imazhi im dhe i familjes time të cenohen në publik.

Prandaj, sot ju njoftoj se drejtësia në rastin tim u vendos. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerr Aktvendim me të cilin kanë pushuar hetimet penale ndaj meje, sepse kanë vërtetuar se nuk ka asnjë elementë të kryerjes së veprës penale me rastin e angazhimit të personave me kontratë për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës.

Drejtësia dhe pastërtia triumfuan mbi padrejtësinë e mbi përpjekjet për t’i dhënë udhë tjetër të vërtetës.

Prandaj, në këto momente falënderoj familjen time, bashkëpunëtoret, kolegët, miqtë dhe të gjithë njohësit e sistemit të drejtësisë, të cilët nga fillimi kanë besuar thellë në pafajësinë time. Ata kanë qenë të bindur se drejtësia e vërtetë do ta mund çdo tentim për të ndikuar politikisht në institucionet e drejtësisë në rastin tim.

Të dashur miq,

Të gjithë Ju që njihni mirë familjen time dhe mua personalisht, jam i bindur se njihni saktë dhe qartë edhe parimet mbi të cilat punojmë e veprojmë, jo vetëm sot, por prej kohësh.

Po kështu, e dini mjaftë mirë se kontributi i familjes sime për Prishtinën, nuk është i ditëve të sotme.

Ne kohët më të rënda për Prishtinën e Kosovën, dyert e shtëpive tona të familjes Hertica u bën dyer të qytetarëve të Prishtinës e të Kosovës.

Nuk ka fuqi e as padrejtësi që mund të ndalë asnjërin prej nesh të kontribuojmë aq sa dijmë e aq sa mundemi.

Prandaj, sot e çdo ditë nuk do ndalem të kontribuoj për zhvillimin e Prishtinës tonë💙.

Shërbimi im për qytetarët e saj, mbetet përkushtim imi i përhershëm, ngase ky shërbim rrjedhë nga edukata, integriteti dhe kultura familjare.

Unë jam njëri nga Ju, e do jem përherë këtu për Ju!

Përherë në shërbim Tuajin!

I Juaji,

Fadil Aliu – Hertica.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.