
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për përjetimet e tij gjatë izolimit, duke theksuar se familja, liria dhe lidhja me atdheun janë mungesat më të mëdha për të.
Thaçi në intervistën ekskluzive në “Adresa ” me Arben Ahmetin në Kanal 10, ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe i mungojnë “familja dhe liria, drita dhe ngrohtësia e atdheut”, si dhe mundësia për të kontribuar në rikthimin e besimit dhe krenarisë së qytetarëve ndaj shtetit.
Ai ka theksuar se Kosova ka një histori të qartë shtetformimi dhe se e ardhmja nuk duhet të ndërtohet mbi “rrëfime falli apo lexime horoskopi”.
“Historia e krijimit të Kosovës është e qartë, nuk është stisur apo gjeegjëzë, sikurse e ardhmja nuk duhet bazuar në rrëfime falli apo lexime horoskopi. Kosova duhet të dëshmohet se ka alternativë… të mos mbetet në infinit”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Kosova, ndonëse e vogël në hartën botërore, ka arritur suksese të mëdha në periudha të caktuara historike, por aktualisht përballet me sfida serioze.
Ai ka kritikuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke i cilësuar ato si pengesë për zhvillimin e vendit.
“Sanksionet ende në fuqi nga SHBA-të dhe BE-ja paraqesin cenim të thelbit dhe zemrës së shtetit. Izolimi nga Perëndimi është vetëvrasje kombëtare dhe shtetërore”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka shtuar se për sa kohë që këto masa mbeten në fuqi, Kosova nuk mund të ketë zhvillim të plotë.
“Për sa kohë janë në fuqi sanksionet nga bota perëndimore, nuk mund të ketë ditë të bardhë për popullin e Kosovës”, është shprehur ai. /GAZETA10/