Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Federata Ndërkombëtare e Tenisit mbron Gjokoviqin: S’ndalohen deklaratat politike

Gazeta10
31 May 2023 - 17:33

Udhëheqësit ndërkombëtarë të tenisit deklaruan më 31 maj se tenisti serb, Novak Gjokoviç, i cili shkroi “Kosova është zemra e Serbisë” në një kamerë në French Open, nuk i ka shkelur rregullat e garës pasi që “deklaratat politike nuk janë të ndaluara”.

Gjokoviq e mbrojti veprimin e tij gjatë një interviste të dhënë për media serbe, duke thënë se Kosova është “djepi, kalaja” e Serbisë.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF), organi drejtues i sportit, tha se kishin marrë një kërkesë nga Federata e Tenisit të Kosovës që kërkon që Gjokoviç të sanksionohet për veprimet e tij.

Megjithatë, ata theksuan se deklarata të tilla nuk bien ndesh me rregulloret për garat e Grand Slams, si French Open.

“Rregullat për sjelljen e lojtarëve në një garë të Grand Slam rregullohen sipas rregullores së Grand Slam, e administruar nga organizatori dhe rregullatori përkatës. Nuk ka asnjë dispozitë në këtë rregullore që ndalon deklaratat politike”, tha një zëdhënës i ITF-së.

Gjokoviç do të përballet më 31 maj me tenistin hungarez, Marton Fucsovics.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kishte thënë një ditë më parë se “Gjokoviq ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”.

“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.