Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ferizaj me pak zjarrfikës, po largohen edhe ata që janë

Gazeta10
25 December 2022 - 10:40

Ferizaji po përballet me një shqetësim, atë të zjarrfikësve. Numri i tyre çdo ditë po zvogëlohet, pasi aty po e lënë punën edhe ata që janë me kontrata të rregullta, e që së fundmi dy nga ta janë larguar.
Kjo organizatë mbetet me shpresë në hapjen e konkursit publik për të plotësuar vendet e punës, në mënyrë që stafi të jetë i kompletuar.


Numri i zjarrfikësve në Ferizaj rrezikon të ulet edhe më shumë, pasi edhe dy prej tyre me kontrata të rregullta kanë kërkuar shkëputje të kontratës.


“Përpos numrit të vogël të zjarrfikësve që e kemi në Ferizaj, është shqetësuese edhe braktisja e vendit të punës. Në këto momente kur po flasim dhe raportet zyrtare që i kemi vetëm dy personel, janë larguar nga vendi i punës”, thotë Zymri Karasniqi, komandant i Shërbimit të Zjarrfikësve në Ferizaj.


Ai tha se përvoja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme e me përvojë 22 vjeçare dhe 4 vjeçare, shkruan rtklive.
Në komunë thonë se duke e parë këtë gjendje ata kanë angazhuar rreth 35 zjarrfikës nga shoqata e vullnetarëve të zjarrfikësve.


“Duke e parë këtë problematik ne si komunë e kemi parë të arsyeshme që të angazhojmë staf shtesë me qëllim që shërbimi nga ky institucion të jetë shumë më efikas dhe shumë më i shpejtë në shërbim të qytetarëve”, thotë Arben Halili, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Ferizaj.


Sipas zjarrfikësve, gatishmëria në intervenim asnjëherë nuk ka munguar porse ka nevojë për staf shtesë.
“Edhe pse kemi vështirësi për shkak të numrit të zjarrfikësve që është një numër shumë i vogël, jemi 4 deri 5 zjarrfikës në ndërrim, por na prapë po ia dalim me sukses edhe pse ka vështirësi. Por i kemi edhe zjarrfikësit sezonal që po na ndihmojnë çdoherë nëpër intervenime të ndryshme”, thotë Jeton Avdiu, udhëheqës i ndërrimit të zjarrfikësve.


E udhëheqësit e kësaj organizate shpresojnë në hapjen e konkursit për të plotësuar vendet e punës.
Aktualisht janë 24 të punësuar kurse sipas proporcionit të banorëve në Ferizaj duhet që të jenë rreth 70 zjarrfikës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.