Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

FES ‘blindon’ draftin e Asociacionit, mediat publikojnë dokumentin e vjetër

Gazeta10
26 January 2023 - 16:54

Fondacioni gjerman Friedrich Ebbert, dega në Prishtinë, ka draftuar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Kosovës, si një propozim për tejkalimin e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, ky dokumenti që doli të enjten nëper media online në Kosovë është i muajit gusht të vitit të kaluar, thonë burime të Kanal10.

K10 mëson se të hënën do të publikohet një dokument tjetër, me dallime substanciale nga ai i muajit gusht të vitit të kaluar.

Sipas këtij dokumenti të cilin e ka parë redaksia, Asociacioni parashihet të jetë një version i OJQ-së, me kompetenca të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Kanal10 ka provuar të kontaktojë me FES, por përfaqësuesit e fondacionit social-demokrat nga Gjermania nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Ata megjithatë do të flasin të hënën, kur FES do të mbajë një tryezë të hapur dhe ku do të publikohet zyrtarisht propozimi i organizatëas gjermane.

Rene Schlee, drejtor i zyrës së FES në Kosovë,Susanne Gentz, menaxhere e programit për fqinjësi të mirë, Egzon Osmanaj, menaxher i programit nga FES, si dhe Gjyleta Mushkolaj, eksperte ligjore, do të flasin në tryezën e hapur për publikun.  

Nga ana tjetër, edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë po merret direkt me statutin e Asociacionit.

Ambasada amerikane ka ftuar përfaqësuesit politik dhe të shoqërisë civile, në një tryezë të mbyllur, e cila do të mbahet të martën e 31 janarit, një ditë më vonë se organizata gjermane FES.

Këtë e kanë konfirmuar edhe partitë politike dhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile, nëpërmjet deklarimeve për media.

Në ftesën e FES, thuhet se publikimi në fjalë duhet të shihet si një pikë e fillimit të një kontributi të bazuar në prova.

Përfaqësuesit amerikanë, pritet të kërkojnë shembuj konkret nga pjesëtarët e shoqërisë civile, për sa i takon kompetencave dhe statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në orët e vona të së mërkurës mbrëma, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajcak, takim për të cilin Kanal 10 ka raportuar më herët.

Në takimin ku mori pjesë edhe zv.kryeministri i parë Besnik Bislimi, dy palët janë pajtuar që marrëveshjet e dakorduara në Bruksel, duhet të zbatohen nga Prishtina dhe nga Beogradi.

Ndërkohë, të enjten, kryeministri Albin Kurti deklaroi se qeveria e Kosovës nuk do të pranojë të themelohet një Asociacion njëetnik. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.