Gazeta10

Fjalimi i plotë i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në takim me Stoltenberg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot në Bruksel një takim me Sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg, raporton Gazeta10.

Qeveria e Kosovës e ka publikuar fjalimin e plotë.

Këtu keni fjalimin e tij:

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm,

Të nderuar gazetarë,

Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që jam këtu, së bashku me të nderuarin z.Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, pas takimit tonë, në të cilin theksova synimet e Qeverisë sonë dhe të vendit tonë për të ardhmen. Qeveria ime dhe unë si Kryeministër, jemi të përkushtuar që të sigurojmë që politikat tona janë plotësisht në përputhje me vlerat e përbashkëta euroatlantike. Ky është përcaktimi ynë, dhe përfaqëson identitetin tonë politik dhe orientimin tonë historik.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time më të lartë për NATO-n. Në 23 vitet e fundit, NATO ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar gjatë luftës dhe sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Kontributi i NATO-s në themelimin, zhvillimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë një sukses shembullor. Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me KFOR-in, si dhe këshillave profesionale të dhëna nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team), Forca e Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarët e saj kanë arritur një nivel të lartë të aftësive dhe kapaciteteve operacionale.

Të gjitha këto janë ndërtuar dhe zhvilluar në përputhje me standardet e NATO-s për të qenë në përshtatshmëri dhe të ndërveprueshme në misione dhe operacione të përbashkëta, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Për këtë arsye, ne jemi shumë të nderuar nga besimi i dhënë FSK-së për të mbështetur operacionin humanitar të NATO-s në evakuimin e qytetarëve afganë që nga gushti i vitit të kaluar.

Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të kontribuojmë në çdo operacion dhe projekt të NATO-s, me të gjitha kapacitetet që kemi. Kemi vizion të qartë – ne kërkojmë anëtarësimin në NATO. Kjo do të na mundësojë të japim këtu dhe gjetiu, atë që vendet dhe kombet demokratike, liridashëse dhe paqedashëse i dhanë dhe i japin vendit dhe qytetarëve tanë. Në këtë drejtim, anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s është një hap shumë i rëndësishëm.

Kosova ka treguar përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e parimeve dhe vlerave të përbashkëta, si dhe përkushtimin e saj për të kontribuar në sigurinë dhe paqen, jo vetëm në rajon por edhe në botë.

Kërcënimet, rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet NATO në mjedisin aktual të sigurisë ndjehen edhe nga vendi ynë. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në situatën aktuale, kanë arsye të jenë vigjilentë ndaj qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi, nën agjendën e dëmshme të Rusisë për Evropën dhe Ballkanin.

Ne jemi plotësisht të përkushtuar për zhvillim ekonomik, për mirëqenie të qytetarëve tanë, demokraci, të drejta të njeriut dhe të pakicave, siguri për të gjithë dhe për secilin, sundim të ligjit dhe kushtetutshmëri.

I nderuari z.Stoltenberg, Qeveria e Republikës së Kosovës, si gjithmonë, mirëpret mbështetjen tuaj, por mbi të gjitha përkushtimin tuaj për paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë.

Ne qëndrojmë të fuqishëm dhe bashkë.

Ju falemnderit!

NË FOKUS

KOBRA
Kush e vrau Ahmet Krasniqin?! - Historinë e padëgjuar e rrëfen Naser Vllasi(Kobra)
naser
Detaje të padëgjuara nga Naser Vllasi –Shërbimi Intelegjent, Kadri Veseli pjesë e këtij shërbimi
Ka2 Internet
Dyshohet për një të vdekur të pompa e derivateve ‘Kastrati’ në Prishtinë
Ka2 Internet
Të shtëna me armë zjarri te pompa e derivateve "Kastrati", Policia zbardhë detajet e fundit
edo
Ky është personi i arrestuar dy ditë më parë nga policia, administrator i faqes “AlbKings” në Telegram
termet
Tërmet i fortë në Turqi, kjo është shkalla e goditjes
636e71b2-c97a-4fa6-9174-2f3caa828b7a
“Krejt robt ti q***a”- Presidenti i klubit Phoenix kërcënon dhe fyen redaktorin e sportit në Kanal 10, reagon AGK-ja
gllogjann
Dëshmitari tregon se çfarë dëgjoi sa ishte në mal ditën kur ndodhi vrasja e trefishtë në Gllogjan