
Në ciklin e Kupave Botërore kualifikuese për Lojërat Olimpike, sot në Sofje të Bullgarisë u zhvillua gara e radhës, nga e cila Kosova morri një medalje të argjendtë.
Në kuadër të kategorisë deri në 57 kilogramë, Flaka Loxha arriti ta fitojë medaljen e argjendtë në këtë Botëror të xhudos.
Në rrugëtimin e saj deri te finalja, Loxha raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten nga Belgjika, Eveline Delbaen.
Në çerekfinale, Loxha vazhdoi paraqitjen mbresëlënëse duke e mposhtur edhe boshnjaken, Andjela Samardzic, kurse në gjysmëfinale shënoi fitore kundër Adriana Salvador Rodriguez të Spanjës.
Ndërkaq, në finale Loxha pësoi humbje, ku u mposht nga xhudistje bullgare Ivelina Ilieva.Për Flaka Loxhën kjo është medalja e parë në këtë nivel për xhudistet e rritura.