
Aktori legjendar, Morgan Freeman, të dielën mbrëma e ka hapur Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’, me një performancë prekëse. Gjatë fjalimit të tij me mesazhin për unitet, ai mbante vetëm një dorezë pas të cilës fshihet një arsye e dhimbshme, transmeton Gazeta10.
Ikona e ekranit tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë fjalimit të tij skenik në stadiumin Al Bayt në Al Khor, ku në skenë iu bashkua edhe ambasadori pa këmbë i Kampionatit, Ghanim Al Muftah.
Por, përveç mesazhit prekës që 85-vjeçari e dërgoi për publikun, shumëkujt i ra në sy edhe doreza që fituesi i Oskarit mbante vetëm në dorën e majtë.
Gjegjësisht, bëhet fjalë për një dorezë kompresive, të cilën aktori veteran e mban prej vitesh, pasi dora e majtë i ishte paralizuar pas një aksidenti automobilistik 14 vite më parë.
Edhe pse e ka mbajtur për kohë të gjatë, normalisht ai e fsheh me mjeshtëri dorën, madje edhe vet dorezën, por këtë herë ka vendosur ta tregojë në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror, prandaj ka rënë veçanërisht në sy të publikut./Gazeta10.