Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Fruthi po përhapet me shpejtësi, mjekët bëjnë thirrje për vaksinim

Gazeta10
19 August 2026 - 18:55

Fruthi po vazhdon të përhapet në Kosovë, ndërsa gjatë muajve të fundit janë konfirmuar gjithsej 137 raste të kësaj sëmundjeje infektive.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rastet janë raportuar gjatë periudhës 16 prill – 17 gusht 2026, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 47 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 34 raste. Në Ferizaj janë konfirmuar 12 raste, në Obiliq 8, ndërsa nga 7 raste në Kaçanik dhe Lipjan.

Raste janë raportuar edhe në Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Shtime, Shtërpcë, Deçan, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.

Përballë rritjes së rasteve, mjekët u bëjnë thirrje prindërve dhe qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të sigurohen që fëmijët të jenë të vaksinuar sipas kalendarit të imunizimit.

Vaksinimi konsiderohet masa kryesore për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së tij, veçanërisht në mesin e fëmijëve që nuk janë të imunizuar.

Institucionet shëndetësore po vazhdojnë monitorimin e situatës epidemiologjike në vend, ndërsa rritja e rasteve të reja gjatë javës së fundit ka shtuar shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të sëmundjes./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.