
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka folur për vazhdimin e takimeve mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Haliti, në emisionin “Gazeta”, tha se beson se palët janë në rrugë të mbarë drejt arritjes së një konsensusi për emrin e presidentit, duke shpresuar se marrëveshja mund të arrihet brenda pak ditësh.
“ Konsideroj se jemi në rrugë të mbarë për të arritur një emër, për një konsensus për president dhe shpresoj që edhe kjo çështje, brenda pak ditësh, edhe qytetarët do ta marrin vesh emrin se kush do të propozohet”, deklaroi Haliti.
Duke komentuar qëndrimin e LDK-së se posti i presidentit duhet t’i takojë kësaj partie, Haliti e cilësoi si pozitive lëvizjen e LDK-së dhe gatishmërinë për të diskutuar për zgjidhjen e ngërçit politik.
Ai tha se synimi kryesor duhet të jetë funksionalizimi i plotë i institucioneve të vendit.
“E konsideroj pozitive, të vlerësueshme këtë lëvizje të LDK-së, në mënyrë që Kosova t’i ketë mandatet e plota, Kuvend të konstituuar”.