
Paris Saint-Germain është rikthyer te fitoret në elitën e futbollit francez, Ligue 1.
Parisienët dolën fitues si mysafir ndaj Montpellier me rezultat 1-3, ku Fabian Ruiz, Lionel Messi dhe Zaire-Emery ishin golashënues.
Mirëpo, qysh në pjesën e parë, trajneri francez u detyrua të largojë nga loja dy yjet e skuadrës, Sergio Ramos dhe Kylian Mbappe.
Si francezi, ashtu edhe spanjolli u larguan si pasojë e lëndimeve të marra në këtë ndeshje.
“Sergio Ramos preferoi të largohej dhe të mos rrezikonte për shkak të shqetësimit që ndjeu në aduktorin e tij”, tha në konferencë për shtyp Galtier.
“Sa i përket Kylian, ka pasur një sfidë pas një driblimi, ai ka marrë një goditje në gju, pas gjurit, pra në gju dhe në muskul. A është një mavijosje, një hematomë? Nuk e dimë ende se sa do të jetë jashtë”.
“Por gjithashtu kur shikoni rrjedhën e ndeshjeve, padyshim që ai nuk mund të rrezikojë, sepse ne kemi një orar shumë të ngjeshur. Por me sa duket, nuk duket të jetë shumë serioze për asnjërin nga lojtarët”, deklaroi më tutje trajneri francez.
PSG është lider në Ligue 1 me 51 pikë, pesë më shumë se ndjekësi më i afërt Marseille.