
Instituti GAP ka bërë të ditur se numri i personave të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta në komunat e Kosovës është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin paraprak.
Sipas të dhënave të publikuara nga instituti, numri total i kontratave për shërbime të veçanta ka arritur në 534 gjatë vitit 2025, nga 381 sa ishte në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej rreth 40 për qind.
GAP ka sqaruar se emërimet me afat të caktuar për periudha më të shkurtra se gjashtë muaj realizohen përmes të ashtuquajturave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe zbatohen përmes një procedure të thjeshtëzuar rekrutimi.
Sipas analizës, rritjen më të madhe e ka shënuar Komuna e Prishtinës, ku numri i të angazhuarve me këto kontrata është rritur nga 73 në 207, ose 134 më shumë se një vit më parë.
Rritje është regjistruar edhe në Zveçan, ku numri ka kaluar nga zero në 22 të angazhuar, në Obiliq nga 16 në 31 dhe në Pejë nga shtatë në 20 të angazhuar.
Në anën tjetër, disa komuna kanë shënuar ulje të numrit të kontratave të tilla. Sipas GAP-it, në Gjilan numri ka rënë nga 97 në 65, në Malishevë nga 22 në 10, ndërsa në Vitia nga 20 në nëntë.
Instituti GAP nuk ka dhënë vlerësime shtesë lidhur me arsyet e rritjes apo uljes së këtyre kontratave në komuna të caktuara, por ka publikuar të dhënat krahasuese për vitet 2024 dhe 2025, duke evidentuar trendin e rritjes së angazhimeve përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta në nivel lokal.