Familja e doktor Adem Ademit ka vendosur që rivarrimi i tij të bëhet më 28 Nëntor, pas 27 vitesh pritjeje për zbardhjen e fatit të tij.

Familja e doktor Adem Ademit ka vendosur që rivarrimi i tij të bëhet më 28 Nëntor, pas 27 vitesh pritjeje për zbardhjen e fatit të tij.
Lajmin e ka bërë të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili ka treguar se për këtë është njoftuar gjatë një takimi me Erblin Ademin, djalin e doktorit.
Gara ka bërë të ditur se takimi ishte paraparë si një kafe e zakonshme e mëngjesit, por se biseda u përqendrua te doktor Adem Ademi, Grupit të Intelektualëve, pritja shumëvjeçare e familjeve dhe përpjekjet për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.
Sipas Garës, data e rivarrimit ka një domethënie të veçantë, pasi 28 Nëntori shënon Ditën e Flamurit, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Një përkim sa domethënës, aq edhe prekës për jetën dhe veprimtarinë e doktor Adem Ademit, i cili profesionin ia kushtoi shërimit të njerëzve, ndërsa një pjesë të jetës së tij ia kushtoi lirisë dhe dinjitetit të vendit”, ka shkruar Gara.
Ai ka theksuar se 28 Nëntori i këtij viti do të ketë kuptim të veçantë për familjen Ademi, bashkëveprimtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan doktorin.