
Në seancën e sotme të qeverisë në Maqedoninë e Veriut, ka kaluar informacioni për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e ri të provimit të jurisprudencës i cili parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht.
Ministri Jeton Shasivari njofton se në kuadër të këtij procesi, raportuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime me institucionet, partitë parlamentare, dekanët e pesë fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e organizatave studentore.
Gjithashtu, do të organizohen demonstrime praktike të pjesës me shkrim në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe të pjesës me gojë në Ministrinë e Drejtësisë. Tendenca është që çështja të shqyrtohet në sesionin e fundit për këtë vit të Komisionit të Venecias që do të mbahet më 11 dhe 12 dhjetor.
Zgjidhja e këtillë ligjore është kundërshtuar në vazhdimësi nga studentët, të cilët disa herë dolën në protesta duke kërkuar që provimi të jepet 100% në shqip. Kundër është edhe opozita shqiptare e cila ka paralajmëruar se nuk do ta mbështetë në Kuvend. Kundër zgjidhjes ligjore janë deklaruar edhe partia E Majta, por edhe partneri qeveritar ZNAM./Alsat.mk.