
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se inflacioni vjetor në vend ka arritur në 7.1 për qind në tetor 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ndërkaq, krahasuar me shtatorin e këtij viti, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit nuk ka shënuar ndryshim, duke regjistruar inflacion mujor prej 0.0 për qind.
Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, ku çmimet janë rritur për 21.5 për qind.

Rritje të theksuar është regjistruar edhe në grupin e banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 9.7 për qind.
Ndërkaq, çmimet e pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve janë rritur për 5 për qind, ato të restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit për 4.5 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme për 3.7 për qind.
Në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, që përbën peshën më të madhe në shportën e konsumit, rritja vjetore e çmimeve ishte 3.2 për qind.
Rritje janë regjistruar edhe në mobilje dhe pajisje shtëpiake (2.9%), shëndetësi (2.9%), veshje dhe këpucë (2.3%), rekreacion, sport dhe kulturë (1.0%), si dhe informacion dhe komunikim (0.7%).
Rënie e çmimeve është shënuar vetëm në grupin e shërbimeve arsimore, me 0.3 për qind.

Sa i përket ndryshimeve mujore, gjatë tetorit, krahasuar me shtatorin, rritja më e madhe është regjistruar te banimi, uji dhe energjia, me 1.7 për qind, pasuar nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1.1 për qind.
Në anën tjetër, çmimet e transportit kanë rënë për 2.2 për qind, ndërsa ato të rekreacionit, sportit dhe kulturës për 1.4 për qind.
ASK-ja ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për tetorin, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.