Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kërkohet ndryshimi i Ligjit për vazhdimin e njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Gazeta10
10 November 2026 - 11:30

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Mirëqenie Sociale, përfaqësueset e organizatave që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kanë ngritur shqetësimin për përfundimin e mandatit të procesit të njohjes së statusit të tyre, si dhe kanë kërkuar përkrahje të qëndrueshme institucionale për organizatat që ofrojnë shërbime për këtë kategori.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, ka thënë se procesi i njohjes ligjore të statusit ka filluar në vitin 2018 dhe fillimisht ishte i mandatuar për pesë vjet. Pas angazhimit të organizatave, mandati ishte vazhduar edhe për dy herë nga dy vjet, ndërsa përfundimi i tij pritet në prill të vitit të ardhshëm.

Ajo ka theksuar se legjislacioni aktual nuk parasheh vazhdimin e mëtejmë të këtij mandati vetëm përmes vendimit të Qeverisë, prandaj nevojitet amendamentimi i ligjit.

“Realisht, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë njohur me ligj para më shumë se dhjetë vjetësh. Në vitin 2018 ka filluar procesi i njohjes ligjore të statusit të tyre. Ky proces fillimisht ka qenë i mandatuar me ligj për pesë vjet, por ne si organizatë kemi avokuar që ky mandat të zgjatet edhe për dy vjet, e më pas edhe për dy vjet të tjera”, ka deklaruar Rushiti.

Ndërkaq, lidhur me numrin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Rushiti ka përmendur shifrën prej 20 mijë personash, duke theksuar se kjo shifër nuk buron nga organizatat joqeveritare dhe as nga institucionet shtetërore.

Në të njëjtën mbledhje, Mirlinda Sada, ka kërkuar përkrahje të qëndrueshme institucionale për organizatat që ofrojnë shërbime për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo ka bërë të ditur se organizata ofron shërbime juridike, psikologjike dhe gjinekologjike, si dhe përfaqësim për gratë dhe vajzat e mbijetuara, përfshirë këshillime, avokim dhe lobim për përmirësimin e politikave dhe ligjeve, si dhe trajnime për institucionet dhe profesionistët lidhur me trajtimin e stresit dhe traumës.

“Si organizatë, ne ofrojmë shërbime juridike, psikologjike, gjinekologjike, si dhe përfaqësim të grave dhe vajzave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, duke ju ofruar këshillime dhe shërbime të tjera në kuadër të avokimit dhe lobimit për përmirësimin e politikave dhe ligjeve”, ka deklaruar Sada.

Pas diskutimeve fillestare, mbledhja e Komisionit për Mirëqenie Sociale ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku diskutimet kanë vijuar lidhur me pikat e parapara në rendin e ditës. Teksti i plotë në sistemin me parapagim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.