Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hegseth: Asnjë Sekretar i Mbrojtjes s’është shkarkuar për operacione ushtarake, as gjatë Clintonit në Kosovë, as për Sirinë e Irakun

Gazeta10
10 November 2026 - 14:52

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka përmendur edhe Kosovën në një deklaratë përmes së cilës ka mbrojtur ligjshmërinë e operacioneve ushtarake amerikane në Iran, duke kundërshtuar përpjekjet për shkarkimin e tij përmes procedurës që njihet si “impeachment”.

Në një konferencë për media teksa ka komentuar synimet për shkarkimin e tij, Hegseth ka rikujtuar ndërhyrjet ushtarake amerikane gjatë administratave të presidentëve të mëparshëm, duke përmendur edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, gjatë presidencës së Bill Clintonit.

“Gjatë 250 vjetëve të republikës amerikane, asnjë sekretar i Luftës apo sekretar i Mbrojtjes nuk është përballur me shkarkim për kryerjen e operacioneve ushtarake të ligjshme. Asnjëherë. Jo gjatë Reaganit në Liban. Jo gjatë Clintonit në Kosovë. Jo gjatë Obamës në Irak apo Siri. Jo gjatë Bidenit në Irak apo Siri. Ky është standardi. Historia është e qartë”, ka deklaruar Hegseth.

Ai ka kritikuar nismën e kongresistit amerikan Thomas Massie, të cilin e ka cilësuar si të pakënaqur, për përpjekjen që, sipas tij, të ndryshojë këtë precedent për shkak të mospajtimeve me politikat ushtarake të administratës aktuale.

“Kjo është ajo që po ndodh, mospajtime për politikat. Jo krime të rënda, jo kundërvajtje, jo tradhti, jo ryshfet dhe as lloji i shkeljeve që themeluesit e SHBA-së kishin parasysh kur hartuan klauzolën për shkarkimin nga detyra”, ka shtuar ai.

Deklarata e Hegseth vjen në kohën kur kongresisti republikan Thomas Massie ka ndërmarrë një iniciativë për shkarkimin e tij, duke paraqitur tetë pika të akuzës. Ato lidhen kryesisht me përfshirjen ushtarake amerikane në Iran pa autorizimin e Kongresit, si dhe me operacionet në Jemen dhe Venezuelë.

Massie e akuzon Hegseth për zbatim të urdhrave të paligjshëm dhe shkelje të Kushtetutës amerikane. Sekretari i Mbrojtjes i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e cilësuar iniciativën si të motivuar politikisht.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.