
Pas gazetares së ndjerë Gordana Susha, ftesa për votim ka arritur edhe te kryeredaktori i parë e Danas, Grujica Spasoviq, i cili ka vdekur pak më shumë se tre vjet më parë, transmeton Gazeta10.
Bashkëshortja e tij Mirjana ka konfirmuar për Danas se Spasoviq ka marrë ftesën. Siç ka treguar ajo, dje e ka gjetur ftesën në kutinë postare dhe është habitur kur ka gjetur se ftesa i ka mbërritur edhe bashkëshortit të saj të ndjerë.
“Nuk ka marrë ftesë për zgjedhjet e mëparshme dhe më kujtohet se mendova se sa të përditësuar ishin për ta fshirë nga lista e zgjedhësve. Nuk më ka shkuar në mendje të kontrolloj nëse ai është ende i regjistruar”, tha Spasoviq.
Ajo theksoi se këtë herë në qendrën e votimit do të kontrollojë nëse ai është futur në listë.
“Unë do të kërkoj që të anulohet fletëvotimi ose ndryshe të pengohet dikush që të votojë në emër të Grujës, nëse ai është ende në listë”, tha Spasoviq.
Vajzat e gazetares Gordana Susha kishin një përvojë të ngjashme si gruaja e Grujica Spasoviqit.
“Nuk di çfarë të them tjetër, përveç se na tronditi fakti që nëna jonë, e cila u nda nga jeta dy vjet më parë, mori një ftesë për të votuar”, tha për FoNet vajza e madhe e Gordanës, regjisorja e teatrit Anja Susha.
Grujica Spasoviq ishte një nga themeluesit e gazetës së përditshme Danas dhe kryeredaktori i parë i saj. Ai ka redaktuar Danas nga 9 qershor 1997 deri në vitin 2006, kur u zgjodh ambasador i Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u nda nga jeta më 26 tetor 2020 në moshën 70-vjeçare./Gazeta10