
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se raporti lidhur me rastin e vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekajt nuk është i plotë, pasi jo i gjithë dokumentacioni është shqyrtuar.
Në një konferencë për media, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Gërvalla tha se dokumentacioni i analizuar deri më tani ka nxjerrë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale.
Ajo theksoi se një nga konstatimet më shqetësuese të raportit është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim.
“Raporti është pjesërisht i plotë. Dokumentacioni i shqyrtuar vë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda nuk u vra pa paralajmërim”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja e Drejtësisë kërkoi gjithashtu sqarime nga Komuna e Pejës për përgjegjësinë e saj në mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale, duke rikujtuar se kryetari i komunës ka kompetenca të veçanta sipas Ligjit për Parandalimin e Dhunës në Familje.
Gërvalla, e cila është koordinatore kombëtare për këtë çështje, tha se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, është koordinatori lokal dhe se nga komuna, deri në përfundimin e raportit, kishin marrë vetëm një përgjigje të shkurtër.
Sipas saj, në përgjigjen prej shtatë rreshtash, komuna kishte konfirmuar vetëm se rasti ishte diskutuar në mekanizmin koordinues komunal, pa dhënë informacione për masa konkrete ndaj mangësive të evidentuara apo për planet e ardhshme.
“Prandaj, nuk kemi marrë informacion as për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara, as për planet që ka komuna për ditët e ardhshme. Presim sqarime edhe nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri”, tha Gërvalla.