
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e sheh dorëheqjen e tij si një veprim që do të kontribuonte në fuqizimin e gruas dhe avancimin e të drejtave të saj.
Duke komentuar reagimet dhe protestat e fundit, Sveçla kujtoi se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë, edhe pse, sipas tij, nuk kishte pasur asnjë përgjegjësi për rastin e asaj kohe.
Ai tha se atëherë kishte menduar se largimi i tij nga pozita do të ndihmonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë, por se tani nuk e konsideron dorëheqjen si zgjidhje që do t’i shërbente fuqizimit të gruas.
“Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, u shpreh Sveçla.
Ai theksoi se është plotësisht i angazhuar në çështjen e të drejtave të grave, duke shtuar se nuk beson që dorëheqja e tij apo e kolegëve të tij do të ndikonte në avancimin e tyre.